How COVID-19 changed the business and oriented it towards digitalization
Gjatë tre muajve të fundit ne në Shqipëri por edhe ne shumë vende të botës filluam te jetonim në një realitet të ri. Shumë shtete shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre, ndërsa bizneset dhe njerëzit në mbarë botën u është dashur të gjejnë mënyra të reja për të minimizuar ndërprerjen e operacioneve të përditshme, ku teknologjitë dixhitale janë epiqendra e këtyre ndryshimeve.
Ndër vite, shumë kompani kanë hezituar të përqafojnë transformimin dixhital, pasi e kishin të vështirë kalimin nga metodat konvecionale të të bërit biznes ne procese inovative dixhitale. Por karantina tregoi nevojën për ndryshim në të gjithë sektorët ekonomik dhe social. Ajo që më parë shihej si e pamundur tani është realitet. Sa më shumë ndryshime të shohim, aq më e vështirë është të besosh se bizneset do t’i rikthehen gjërave siç ishin para kësaj krize. Njerëzit do ta kenë të vështirë të heqin dorë nga shërbimet dixhitale me të cilat u mësuan gjatë pandemisë; që nga shitjet me pakicë deri në arsim dhe palestër. Këto ndryshime treguan qe ishin forma komode dhe të nevojshme për t’u aplikuar si gjatë krizës, por edhe pas saj.
Teknologjia mund të ndihmojë bizneset jo vetëm të përgatiten për një të ardhme gjithnjë edhe më dixhitale, por eksperinca tregoi që i ndihmoi të kalonin sfidat që pandemia solli në vend. Në vend që bizneset të mbylleshin ose të bënin pushim, këto kompani bënë transformime të mëdha për të vazhduar operacionet e tyre, për t’i shërbyer klientëve në kohë të vështira dhe të mbronin punonjësit e tyre.
COVID-19 na ka detyruar të gjithëve ne të riorganizojmë jetën tonë të përditshme ndryshe nga ç’ishim mësuar më parë, po ashtu edhe kompanitë të riorganizojnë bizneset e tyre.
Në përpjekje për t’u shërbyer më mirë klientëve dhe për të mbrojtur punonjësit, supermarketet dhe qendrat tregtare në Shqipëri integruan dhe zhvilluan faqet e tyre për shitje në internet. E-commerce ishte një risi jo vetëm për biznesin shqiptar por edhe për konsumatorin, i cili praktika të ngjashme i kishte me blerje jashtë vendit. Të gjendur përballë mbylljes së menjëhershme të palestrave njerëzit panë mundësinë e kryerjes së ushtrimeve fizike në shtëpi. Palestrat në vend filluan të ofronin zgjidhje dixhitale, duke shitur videot e ushtrimeve në kushtet e shtëpisë në rrjetet e tyre sociale. Por edhe sektorë të tjerë nuk mbetën pas në rrugën e transformimit dixhital. Restorantet panë mundësinë e krijimit të aplikacioneve ose partneritetin me zhvillues për t’u listuar në aplikacionet e dërgimit të ushqimit në shtëpi.
Shpërthimi i COVID-19 ka detyruar vendosjen e transformimit dixhital në krye të axhendës së biznesit, duke demonstruar se në botën e sotme ky transformim është një domosdoshmëri operacionale dhe jo thjesht një “gjë e bukur për tu patur”. Kjo po hap rrugën për ndryshime të rëndësishme në modelet dhe strukturat e biznesit dhe siguron një mundësi që kompanitë të zhvendosen në një realitet të ri dixhital.
Kalimi i bizneseve në e-commerce është një ndër shembujt më të dukshëm të transformimit dixhital, por dixhitalizimi ka një mori aplikimesh, në varësi të industrisë ku aplikohet. Për shembull, ndërmarrjet prodhuese mund të përdorin mjetet dixhitale për t’i facilituar punën në distancë dhe aplikimin e distancimit social. Kjo mund të përfshijë për shembull sigurimin e të dhënave, siç janë gjurmimi i parave ose produkteve në kohë reale, gjë e cila zvogëlon në minimum nevojën për ndërveprim njerëzor dhe mundëson vazhdimësinë e operacioneve të biznesit pa qene e nevojshme që punonjësit të kenë kontakte fizike.
Si në Evropë po ashtu edhe në Shqipëri flitet për të ardhmen dixhitale në sektorë të ndryshëm siç janë edukimi dixhital dhe e-Governemnt (ku portali e-albania ndihmoi jo vetëm biznesin po edhe qytetarët të ulnin kontaktet e drejt për drejta). Fusha të tjera që kanë nevojë për zhvillim dhe vemendje në të ardhmen janë tele-shëndetësia, shkëmbimi i të dhënave (data sharing), ndërlidhja me bandë të gjerë (broadband connectivity) si edhe siguria kibernetike. Nevoja për të implementuar zgjidhje dixhitale, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, do të inkurajojë qeveritë dhe bizneset që jo vetëm të mbështesin transforimimin inovativ dhe teknologjik, por edhe të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar këtë gjë.
Përtej kërcënimit shëndetësor që COVID-19 paraqet, ndikimi i madh dhe i papritur që pandemia pati në biznese dhe ekonomi ka treguar nevojën për të përqafuar dhe përshpejtuar transformimin dixhital. Transformimi dixhital mund të mos jetë zgjidhja për të gjitha të problemet, por mund të jetë një mënyrë që bizneset të përballen sa më mirë me sfidat e reja, të mbrohen nga rreziqet e paparashikuara dhe të rikrijojnë veten në një realitet të ri duke u bërë më kompetitiv.