Dilema: Ndërtimi  i faqes e-commerce me template të gatshëm apo zhvillimi i një dizajni të posaçëm?

Kur ju vendosni të ndërtoni faqen tuaj e-commerce, filloni e vlerësoni shumë aspekte. Jo vetëm që duhet të mendoni për rrjedhjen e faqes, logjikën që duhet të ndjeki ekspozimi dhe reklamimi i produkteve tuaja por edhe zgjedhja e teknologjisë që do të përdorni. Të gjitha këto nuk janë çështje të lehta për tu zgjidhur.

Bizneset të cilat shesin produktet e tyre në internet janë jashtëzakonisht të shumëllojshme. Kjo lloj tregëtie po depërton pothuajse në çdo sektor të biznesit. Sidoqoftë, çdo sektor ka veçoritë e veta, për shembull faqja e-commerce e një qendër tregtare është krejt e ndryshme nga ajo e një dyqani celularësh. Kalimi i tregtisë nga tradicionale, pra marrëdhënie direkte klient-shitës në një dyqan, në atë elektronike nëpërmjet platformave të  ndryshme të shitjeve online, i ka vënë tregëtarët përballë një dileme. Zakonisht gjatë zhvillimit të platformës së tyre e-commerce ata duhet të zgjedhin nëse do të zhvillojnë një platformë me template të gatshëm apo do zhvillojnë një platformë me dizajn të veçantë.

Deri vonë, një faqe e-commerce e krijuar vetë nga e para ishte relativisht shumë më e preferuar. Por me pandeminë e koronavirusit dhe nevojës së adaptimit shumë shpejt në realitetin e ri, gjërat ndryshuan. Përdorimi i dizajneve të gatshëm u pa si një mënyrë mjaft efikase për kalimin e shitjeve nga dyqani në internet. Sidoqoftë, të dy opsionet janë të ndryshme në procese, funksione dhe rezultate.

 

Dizajni dhe Fleksibiliteti

Me një template të gatshëm për faqen tuaj e-commerce ju nuk keni nevojë të imagjinoni se si do të duket faqja juaj kur të përfundojë. Dyshimet tuaja nëse kompania që keni zgjedhur i ka kuptuar kërkesat tuaja apo jo, dhe nëse faqja juaj e internetit do të jetë vërtetë si e keni imagjinuar, marrin fund kur përdorni një model të gatshëm. Me pak fjalë, ajo që shihni është pikërisht ajo që merrni.

Megjithatë modelet e gatshme mund të përshtaten sipas kërkesave tuaja duke ndryshuar ngjyrat, imazhet dhe tekstin. Ju mund të zgjidhni një template që ju pëlqen nga pamja e tij dhe ndjenja që ai përcjell tek ju, dhe ta përshtatni atë sipas nevojave tuaja. Kjo është një praktikë mjaft efikase për korporatat, qendrat tregtaret apo dyqanet e mëdha të veshjeve të cilat mund krijojnë identitetin e tyre por pa humbur funksionalitetin e faqes dhe efikasistetin e biznesit të tyre.

Gjithashtu, edhe për një dyqan i cili po transformohet dhe fillon të aplikojë shitjet në internet, përdorimi i një dizajni të gatshëm mund të jetë një zgjidhje. Një template i gatshëm krijon hapësira për modifikim dhe adaptim sipas kërkesave tuaja, gjithsesi faqja juaj e-commerce nuk është ekskluzive dhe unike për ju dhe brandin tuaj. Zhvillimi i një dizajni unik nga një UX/UI nuk ka të krahasuar si nga pamja që merr faqja juaj e-commerce por edhe ndjenja që ajo përcjell tek përdoruesi. Lirshmëria në zgjedhje dhe funksionalitet vërtetë ndihmojnë në krijimin e një faqeje unike e-commerce dhe i shton vlerë brandit tuaj. Investimi për dizajnin e faqes suaj të internetit, jo vetëm për shitje në internet, është njëkohësisht një investim për prezencën e brandit tuaj në treg e cila përkthehet në më shumë shitje dhe fitim për biznesin tuaj. Kjo ishte ajo që ne kishim në mend kur punuam me SKosmetics. Pasi diskutuam mbi modelin e biznesit dhe imazhin që Sara donte të përcillte tek klientët e saj ne i ofruam asaj një zgjidhje të personalizuar dhe afat gjatë për biznesin e saj.

Dhe këtu vijmë në një pikë tjetër të rëndësishme, fleksibiliteti. Një faqe e-commerce me template të gatshëm ju përgjigjet një pjese të mirë të nevojave tuaja, por jo të gjithave. Fleksibiliteti në industrinë e shitjeve në internet është aspekti më thelbësor i saj dhe humbja e tij do të thotë pengesë për rritjen e biznesit tuaj. Rrjedhimisht, një faqe e-commerce me dizajn të ndërtuar nga një profesionist UX/UI është shumë herë më e mirë se një e blerë me template të gatshëm, pasi të lejon të jesh mjaft fleksibël në ndryshimet dhe adaptimet që mund t’i bëni faqes suaj në të ardhmen, si rrjedhojë e ndryshimeve në biznesin tuaj.

 

Shpejtësia

Koha është para dhe shpejtësia e ndërtimit të një faqeje te shitjeve në internet ndikon shumë në fitimet e biznesit tuaj. Një faqe e bërë posaçërisht për ju do të marri shumë kohë deri sa të jeni në gjendje që ta keni funksionale. Në varësi të kompleksitetit të saj, mund të duhen muaj të tërë deri sa të përfundojë. Ndërkohë që duke adaptuar dhe modifikuar një model të gatshëm ju do të keni faqen tuaj e-commerce në një kohë rekord. Eksperienca jonë me rrjetin e supermarketeve Spar tregoi pikërisht këtë gjë. Në një kohë rekord prej shtatë ditësh TOK Digital ndihmoi Sparin të bëhej supermarket i parë në Shqipëri që implementon e-commerce në treg, duke i dhënë një epërsi kundrejt konkurencës në fushën e tyre.

 

Çmimi

Normalisht nuk mund të lëmë pa përmendur edhe çmimin. Një faqe e-commerce me model të gatshëm ju kushton shumë herë më pak se një faqe e cila ndërtohet posaçërisht për ju nga fillimi në fund.  Gjithsesi, bizneset duhet të mendojnë në afat-gjatë dhe për rritjen e tyre. Normalisht pyetjet që lindin  janë; a do të ndryshojë modeli i biznesit në të ardhmen? A do rrisni gamën e produkteve që ofroni? Si do ndryshojë funksionaliteti dhe prezenca e faqes suaj kur të rrisni volumin e punës? Do të vij momenti kur ju do të jeni të detyruar për të riparë proceset dhe modelin e biznesit tuaj, për rrjedhojë edhe të faqes suaj. Dhe kur ky moment të vij, adaptimi i faqes suaj të cilin e keni blerë të gatshëm nuk do i përgjigjet dot kërkesave tuaja. Ka shumë të ngjarë që ju do të detyroheni të zhvilloni një dizajn nga e para i cili duhet të përmbushi nevojat e reja tuaja.

Në fund të ditës zgjedhja për të krijuar një faqe e-commerce me template të gatshëm apo krijimi i një faqeje nga e para, natyrisht varet nga ju. Gjithçka varet nga vëllimi dhe procesi i biznesit tuaj, sektori ku operoni, funksionaliteti, madje edhe dizajni që ju doni të keni për faqen tuaj. Çdo biznes dëshiron të ketë një identit të veçantë në internet, por nga ana tjetër, edhe funksionalitet. Zgjedhja e një platforme për të ndërtuar faqen tuaj ideale e-commerce është e vështirë dhe nganjëherë e kushtueshme. Por sugjerimi ynë i fundit është; zgjidhni me kujdes agjencinë e cila do ju ndihmojë në këtë projekt të rëndësishëm. Eshtë e rëndësishme që agjencia dhe personat me të cilët do të punoni të kuptojnë nevojat dhe kërkesat tuaja si edhe çfarë ju duhet në fazën e zhvillimit të shitjeve online të biznesit tuaj. TOK Digital Agency do t’ju ndihmojë të ndërtoni strategjinë, të menaxhoni proceset dhe të zhvilloni një biznes e-commerce të suksesshëm dhe sipas nevojave tuaja.

wordpress website design company & wordpress design company |